Misioni i OSBE-së në Kosovë ka konfirmuar se është në dijeni të ndalimit të një anëtareje të tij, Jelena Gjukanoviq, e cila dyshohet për spiunazh.

Gjykata Themelore e Prishtinës ka miratuar të dielën kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK), duke i caktuar asaj masën e paraburgimit prej një muaji.

Sipas njoftimit zyrtar, Gjukanoviq u arrestua më 28 shkurt në rajonin e Mitrovicës pas hetimeve disa mujore të autoriteteve. Fillimisht, ajo u ndalua për 48 orë nga prokuroria, para se të merrej vendimi për paraburgim.

Ndërsa, në një deklaratë për media, Misioni i OSBE-së ka deklaruar se është në kontakt me përfaqësuesin ligjor të të ndaluarës dhe po monitoron nga afër mirëqenien e saj.

“Përderisa Misioni nuk mund të komentojë më tej për këtë rast për shkak të hetimeve në vazhdim, ai mbetet i përkushtuar për të bashkëpunuar me autoritetet përkatëse,” thuhet tutje në deklaratë.

OSBE ka theksuar gjithashtu se është në komunikim me institucionet përkatëse në Kosovë dhe me Sekretariatin e organizatës në Vjenë për të siguruar respektimin e procesit të duhur ligjor.

Hetimet mbi këtë rast vazhdojnë, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme mbi akuzat e sakta ndaj Gjukanoviqit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu