Pas Presidentes Vjosa Osmani, edhe Kryeministri Albin Kurti ka ndarë pamje nga parakalimi i Ushtrisë dhe Policisë së Kosovës, me rastin e 17 vjetorit të Pavarësisë.

Krahas këtyre pamjeve, Kurti ka shkruar se në historinë moderne të Evropës, krijimi i shtetit të Kosovës është një nga historitë më të fuqishme dhe shembullore, të përparimit të vetëdijes së një populli për liri dhe këmbënguljes së tij për shtet, shkruan Reporteri.net.

“Republika jonë njëmend është shteti më i ri në kontinentin e vjetër, por mund të jetë shteti me historinë më të gjatë të përpjekjes për krijimin e tij. Sot është shtëpia e popullit tonë te e cila strehohemi dhe jetojmë të gjithë ne, pa dallime kulturore dhe shoqërore, etnike dhe fetare, me bashkëpjesëmarrje dhe të barabartë”, ka shkruar Kurti.

“Lavdi dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës. E bekuar qoftë rruga e Republikës së Kosovës krah Republikës së Shqipërisë, bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet tona aleate evropiane dhe të tjera perëndimore. E ndritur qoftë e ardhmja jonë dhe e gjithë fëmijëve tanë, në paqe dhe përparim. Urime 17 Shkurti! Urime 17 vjet pavarësi!”, ka shkruar Kurti./Reporteri.net

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu