
U mbajt në Gjykatën e Posaçme seanca ndaj ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro.
SPAK dha edhe konkluzionet përfundimtare. Ish-kryebashkiaku nuk është i pranishëm, ndërsa Prokuroria përfaqësohet nga prokurori Ols Dado.
“Goro të deklarohet fajtor për shpërdorim detyre dhe refuzim për deklarim e fshehje pasurie”, deklaroi prokurori i posaçëm Ols Dado gjatë seancës gjyqësore.
Organi i akuzës ka dhënë edhe pretencën, ku kërkon 3 vite burgim për Goron. Për zyrtarin Jerasimo Basho u dha pretenca po për 3 vjet burgim dhe juristi Vezir Gjikoka për 2 vjet burgim.
SPAK kërkon konfiskimin e sipërfaqeve të tokave të sekuestruara, si dhe apartamentin e Jorgo Goros të sekuestruar.
Një tjetër kërkesë ishte konfiskimi edhe i 10 mijë metrave katrorë tokë, që do kalonin për investime strategjike në plazhin e Gjipesë.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbylli hetimet më 7 shkurt dhe dërgoi dosjen në GJKKO, për ish-kryetarin e Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, i akuzuar për “shpërdorim detyre”, si dhe 2 drejtorët.
Kujtojmë se SPAK e akuzon ish-kryebashkiakun për dy raste.
Në rastin e parë, sipas prokurorisë, Goro bashkë me dy ish-drejtorët e Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashki, Jerasimo Bashi dhe Vasillaq Strakosha kanë përcjellë te institucione të tjera dokumente të falsifikuara për një pronë mbi 5,500 metër katrorë në Dhërmi, pa kryer verifikime, duke çuar në regjistrimin e pronës shtet në favor të privatit.
Edhe në rastin e dytë, të dy ata, referuar Prokurorisë, kanë zhvendosur në terren një sipërfaqe toke bujqësore mbi 5 mije metër katrore, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit. Më pas, kjo pronë është shitur te investitorët duke u dhënë edhe një leje ndërtimi për një kompleks turistik.
Jorgo Goro u arrestua në Mars të vitit të shkuar, ndërsa gjatë seancave gjyqësore i ka mohuar akuzat./klan