Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, reagoi për herë të parë ndaj akuzave që ka hedhur kryetari i PD, Sali Berisha, ndaj tij, lidhur me përgjime të pretenduara që e lidhin me grupe kriminale.
“Unë jam personi që Sali Berishën e kam akuzuar shpesh, por nuk e kam bërë si ai që akuzat i kam lëshuar në ajër. Akuzat i kam dërguar në prokurori. Dhe zotëria, nëse ka ndonjë akuzë për mua, le ta drejtojë në institucion. Dhe këtu mbyllet përgjigjja ime. I kam dëgjuar shpesh këto histori edhe lakimet, emra. Çfarë flasin të tjerët për mua është puna e tyre. Unë nuk do të isha përballur kurrë kaq fort me korrupsionin edhe me krimin si Ministër i Brendshëm nëse do të kisha qoftë dhe një pikëz të vogël të zezë në jetën time. Kështu që jam shumë i qetë.
Kushdo që ka një akuzë, të bëjë atë që kam bërë unë. Në këto 20 vite në politikë, për çdo akuzë që kam shprehur, i jam drejtuar institucionit të drejtësisë.
Të përballesh me Sali Berishën merr edhe kostot përkatëse, por është një përballje që e kam bërë dhe do vazhdoj ta bëj,” u përgjigj Balla.
Më herët gjatë intervistës në A2CNN, Balla iu ktheu përgjigje akuzave të opozitës për patronazhimin e votës.
“Unë besoj se këta do kenë akuzuar edhe Elon Musk-un i cili premtonte 1 milion dollarë për regjistrim. E para që duhet të kuptoni është që ky është një proces që ndryshon nga procesi zgjedhor në Shqipëri. Pse e them këtë? Sepse ky është një proces që paraprihet nga një proces regjistrimi. Pra, edhe në vende të tjera ku ka ngjashmëri, jo pa qëllim solla SHBA, një prej fushatave më të mëdha që bënë SHBA është që partitë mundohen të regjistrojnë votuesit e tyre, pra ajo që quhet pararegjistrim.
Lidhur me kërkesën e opozitës për votim me dokumente të huaja, Balla tha se këta mund të vijnë edhe me kërkesa që të votojnë alienët.
“Kërkesa tjetër është që ne duam që në Shqipëri ta fusim në librin Guinness, të jemi i vetmi vend në botë ku ti mund të votosh edhe me dokumentet e një shteti tjetër, kur në të gjithë legjislacionin shqiptar njihen vetëm dokumentet e Republikës së Shqipërisë. Pra, ne të lëshojmë sovranitetin tonë dhe të pranojmë çdo lloj dokumenti të çdo shteti tjetër.”
Balla argumentoi propozimin për zgjatjen në 60 ditë të afatit për regjistrimin e kandidatëve dhe pagesën e postës së kthimit për fletën e votimit.
“Pra, ne mirë që jemi larg, por unë që jam në SHBA duhet të paguaj 45$ për të nisur me postë fletën e votimit për në Tiranë? Dhe këtu kryeministri Rama në cilësinë e kreut të qeverisë tha: “Ne, qeveria, jemi të gatshëm që t’i japim KQZ-së, sepse në fund të fundit KQZ-ja është autoriteti, t’i japim nga fondet rezervë të qeverisë, të gjitha fondet e duhura për t’i mbuluar qeverisë shpenzimin në vajtje që ka me ligj por edhe në kthim. Tani kemi një element që duhet të ndryshojmë ligjin. A ka ndonjë opozitë në botë që s’do t’i japë votën pikërisht kur thonë që do fitojmë?
Këto zgjedhje janë bileta jonë për në Bashkimin Europian ndaj opozita, tha ai, duhet të heqë dorë nga çdo lloj talljeje apo alibie për ta dëmtuar.”