Në seancën dëgjimore te Komisioni për Ekonominë dhe Financat u debatua rregullorja e re për sigurimin e mjeteve të detyrueshme që ka hyrë në fuqi në 1 janar dhe ndryshon përllogaritjen e primit.
Deputeti socialist Erion Braçe ngriti si shqetësim se qytetarët po përballen me një rritje çmimesh në tregun e sigurimit të makinave, e cila është e paqartë dhe për këtë ngre nevojën e një seance dëgjimore ku u shpreh dakord dhe kryetari i komisionit Eduard Shalsi. Situata mbetet e paqartë dhe e ka sjellë vetë rregullorja e miratuar nga AMF që jep parime, dhe në aneksin e saj ajo e përmbys rregulloren. “Shqetësimi është i madh sidomos te mjetet e punës që janë në vështirësi të mëdha, janë mjete të vjetra dhe me fuqi më të madhe se mjetet e tjera, dhe çmimi ju është rritur mbi logjikën,” tha Braçe.
Sipas rregullores, në përllogaritjen e primit të sigurimit shoqëria e sigurimit zbaton këto faktorë kryesorë risku:
- a) Historiku i dëmeve, përfshirë edhe rastet kur shkaktari i aksidentit nuk është i shënuar në policën e sigurimit.
- b) Fuqia motorike;
- c) Mosha e të siguruarit;
- d) Eksperienca në drejtimin e mjetit motorik;
- e) Përdorimi i mjetit: subjekt, individ;
- f) Qarku i regjistrimit të mjetit;
- g) Vjetërsia e mjetit.
Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi 6 kandidatura për Kryetar të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
Kandidatët janë Artur Ribaj, Emis Cerava, Julian Naqellari, Petrit Perhati, Saimir Tola dhe Valbona Sanxhaktari.
Artur Ribaj është i vetmi që ka pasur një përvojë të mëparshme në institucionet rregullatore të tregut financiar, fillimisht në Departamentin e Mbikëqyrjes të Bankës së Shqipërisë dhe më pas si drejtues i Departamentit të Mbikëqyrjes në AMF.
Emis Cerava: me profesion ekonomist dhe mban postin e Sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Julian Naqellari: ekspert kontabël i autorizuar dhe pedagog i kontabilitetit në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës.
Valbona Sanxhaktari: juriste dhe anëtare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Petrit Perhati dhe Saimir Tola nuk rezultojnë të kenë përvojë të mëparshme në pozicione të rëndësishme në sektorin publik.
Në fund të mbledhjes kryetari i komisionit tha që kërkohet kohë nga anëtarët e komisionit dhe shërbimet e kuvendit për të vendosur mbi kandidatin.
Gjithashtu do të thirret në seancë dëgjimore edhe AMF-ja, mbase dhe shoqëritë e sigurimit për të diskutuar mbi rregulloren për faktorët e riskut të miratuar nga AMF.