Janë mbajtur homazhet në nder të katër viktimave të 21 janarit të 14 viteve më parë.
Të pranishëm veç të afërmve dhe familjarëve të viktimave, ishin edhe deputetë të grupit parlamentar të PS, Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla ndërsa kryeministri Edi Rama nuk mori pjesë në homazhe për shkak se ndodhet jashtë vendit në Forumin e Ekonomisë në Davos të Zvicrës.
Ata vendosën lule në bulevard.
Ceremonia e heshtur zhvillohet çdo vit, ndërsa familjet, bashkë me dhimbjen që nuk shuhet ende, vazhdojnë të presin drejtësi.
Ministri Balla akuzoi dje ish-kryeministrin Sali Berisha si urdhëruesin politik të vrasjeve para kryeministrisë, duke sjellë edhe deklaratën e tij të asaj kohe se do të kishte njerëz të armatosur që do ta mbronin kryeministrinë gjatë protestës.
“Nuk kemi ndenjur të heshtur e as indiferentë. Ne kemi qenë dhe jemi qartësisht në anën e drejtësisë me besimin e palëkundur se i takon vetëm të drejtësisë së re të bëjë drejtësinë e munguar për 21 Janarin, në dritën e vendimeve të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë dhe me besimin te Prokuroria e Posaçme. Ne jemi në anën e drejtësisë dhe presim drejtësi,” thuhet në reagimin e ministrit Balla këtë 14-vjetor të ngjarjes tragjike.
Të vetmit të dënuar për këtë krim janë ish-komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, me një vit burg dhe gardisti Agim Llupo me tre vite burg, por jo urdhëruesi. 14 vjet më vonë, ende nuk ka as drejtësi të pjesshme për Aleks Nikën, vrasjen e të cilit, në një vendim të saj, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut thotë se duhet të zbardhet si një krim shtetëror, ndërsa SPAK ka një hetim në proces.