Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu inspektuan hapjen e kantierit të parkimit të madh në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza. Projekti parashikon hapësirë multifunksionale me 1400 vende parkimi në ditë, me një strukturë hotelerie në dispozicion për pacientët dhe familjarët e tyre, por dhe për studentë, mjekë e bashkëpunëtorë të jashtëm të qendrës, si dhe me një hapësirë për helikopterët e urgjencës mbi tarracën e godinës.
Kjo vepër e re publike do ta kthejë krejt territorin e QSUT në një hapësirë këmbësore, e do të krijojë kushtet për transformimin e saj në një park të madh me pemë, lule e vepra arti tha Rama.
Më pas Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu inspektuan sot punimet për rikonstruksionin e Spitalit të Kardiokirurgjisë dhe Kirurgjisë Vaskulare, një tjetër investim për modernizimin dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore që ofrohen në QSUNT.
Ministrja Koçiu tha se godina shtrihet në një sipërfaqe prej 4, 000 m2 me shtim të sipërfaqes me mbi 500 m2 ku do akomodohen shërbime universitare në kardiologji dhe kardiokirurgji. “Kati i parë ka të bëjë me shërbimet e Kirurgjisë vaskulare. Është e organizuar në 4 kate ku në katin e tretë kem bllokun operator me shtim sipërfaqeje nga 4 salle operatore janë 5 salla të cilat tashmë krijojnë kushte më optimale për stafin. Në katin e tretë kemi edhe shërbimin intensiv ose reanimacioni për të gjithë situata që kanë vështirësi në trajtim. Ka kapacitet prej 80 shtretërish”, theksoi ajo.
Ministrja nënvizoi se “punimet pritet të përfundojnë brenda muajit qershor dhe nuk bëhet fjalë vetëm për rikonstruksionin, por edhe për mobilim dhe pajisje të teknologjisë së lartë të cilët do ti ndihmojnë mjekët të vijojnë të bëjnë mrekullitë e tyre”.
Ministrja e Shëndetësisë shtoi se ky investim e kthen këtë strukturë spitalore në një qendër ekselence.
“Me përfundimin e Spitalit Psikiatrik këto ditë, me fillimin e punimeve te Spitali i Djegie-Plastikës, me përfundimin e Pediatrisë e përmbyllim gjithë ciklin e rehabilitimeve dhe rikonstruksioneve të infrastrukturës në QSUNT”, përfundoi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.
Spitali i Kardiokirurgjisë dhe Kirurgjisë Vaskulare do të presë urgjenca nga e gjithë Shqipëria si dhe parashikohen rreth 1 mijë ndërhyrje në vit. Me infrastrukturë moderne dhe pajisje mjekësore të teknologjisë së lartë, kjo strukturë spitalore do të ofrojë kujdes shëndetësor të nivelit më të lartë për qytetarët, duke garantuar mundësi më të mira për trajtimin e pacientëve që kërkojnë shërbime kirurgjikale të specializuara.