Nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylybashi, në një deklaratë për median tha sot se Komisioni i Venecias foli qartë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese që detyrojnë Kuvendin e Shqipërisë të dërgojë rastin Xhaçka për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese nuk mund të vihen në pikëpyetje, zvarriten, minohen, pengohen apo bllokohen nga Kuvendi me votën e mazhorancës.

Sipas tij, Komisioni i Venecias thekson se zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, në tërësi apo edhe në rastin konkret, në lidhje me konfliktin e interesit dhe heqjen e mandatit të deputetes Xhaçka, është i detyrueshëm për Kuvendin si organ, për mazhorancën politike në Kuvend dhe për çdo deputet individualisht.

yacht hotel sarande

Ai vuri në dukje se, Komisioni i Venecias konstaton në paragrafin 13 se Kuvendi është i detyruar ta çojë çështjen e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes Olta Xhaçka në Gjykatë, por se deri më sot Kuvendi ende nuk i ka zbatuar dy vendimet detyruese të Gjykatës.

“Komisioni i Venecias rrëzon përpjekjen e Edi Ramës dhe shumicës socialiste për t’u fshehur pas parimit kushtetues të ndalimit të mandatit detyrues apo ndryshe mandatit të lirë të deputetit. Komisioni i Venecias thekson se ky parim do të thotë se deputeti është deputet i Republikës, përfaqësues i popullit dhe është i lirë në qëndrimet dhe votën e tij nga vullneti i partisë që e ka kandiduar, përfaqëson apo edhe i elektoratit që e ka votuar”, deklaroi Bylybashi.

Por ky parim, vijoi ai, nuk zbatohet ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, sepse detyrimi për Kuvendin dhe çdo deputet që të zbatojë Kushtetutën, ligjin dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk përbën çështje vullneti të lirë, por zbatim të Kushtetutës. Ky detyrim buron nga parimet e kushtetutshmërisë, shtetit të së drejtës dhe lojalitetit kushtetues mes organeve kushtetuese.

Bylybashi, nënvizoi se, Komisioni i Venecias, në paragrafin 22, thekson se Kuvendi nuk mund t’i referohet parimit të ndarjes së pushteteve si justifikim për të mos zbatuar vendimet detyruese të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, në rastin specifik, Komisioni i Venecias thekson se Gjykata ka marrë dy vendime dhe zbatimi efektiv i këtyre vendimeve nuk duhet të kushtëzohet nga një votim apo nga vullneti i një shumice parlamentare.

“Me fjalë të tjera, pavarësisht vullnetit negativ të shprehur me votë nga shumica socialiste, Kuvendi duhet të zbatojë urdhërimin e Gjykatës dhe ta dërgojë çështjen e deputetes Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh Bylybashi.

“Kuvendi duhet ta dërgojë rastin Xhaçka menjëherë e pa vonesë tjetër në Gjykatën Kushtetuese”, tha ai./atsh

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu