Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është liruar nga arresti i shtëpisë. Vendimi është marrë nga gjyqtarja e GJKKO Flojera Davidhi, që ka sjellë revokimin e masës së sigurisë ndaj ish-Kryeministrit Berisha.
Ndërkohë media raporton se SPAK do të ankimojë këtë vendim në Gjykatën e Posaçme të Apelit. SPAK thotë se pasi të njihet me vendimin e zbardhur të GJKKO, do të vijojë procedurën e ankimimit në Gjykatën e Posaçme të Apelit.
“Pasi Prokuroria e Posaçme të njihet me vendimin e zbardhur të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të vijojë procedurën e ankimimit në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Ndërkohë seanca paraprake për gjykimin në themel të çështjes vazhdon në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në reagimin e SPAK.
I pyetur në konferencën, këtë herë fizike me gazetarët, nëse i druhet rikthimit në “arrest shtëpie”, Berisha u përgjegj: “Të bëjnë ç’të duan. Sali Berisha nuk ka absolutisht asgjë në botë që e ndalon nga kjo betejë.”.
Ish-kryeministri Sali Berisha ndodhej në arrest shtëpie për dosjen “Partizani” që nga data 30 Dhjetor 2023. Vendimi për masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj Berishës erdhi pas kërkesës së SPAK, pasi sipas organit të akuzës, kryedemokrati nuk zbatoi urdhrin e mëparshëm të gjykatës për t’u paraqitur para Oficerit të Policisë Gjyqësore.
Berisha akuzohet si i dyshuar për korrupsion në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”. Nën hetim për këtë dosje është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i cili ndodhet në masë sigurie “arrest shtëpie”./klan