Qeveria ka hedhur për konsultim një projektligj të ri që ka të bëjë me ndërtesat e reja që do ngrihen, por edhe ato që kërkohet të rinovohen nga pronarët.
Ky projektligj ka për qëllim që të rrisë edhe performancën energjetike, duke plotësuar standardet e reja bashkëkohore.
Kjo shoqërohet edhe me instalimet e paneleve diellore në to, që t’i shërbejë jo vetëm prodhimit të energjisë, por edhe uljes së çmimit në të ardhmen.
Shqiptarja.com po publikon më poshtë edhe këtë Projektligj në 39 nenet e tij, pikat që përmban dhe sugjerimet ligjore të parashikuara.
Në këtë projekt përfshihen edhe banesat e reja, pra që do kërkohet të rinovohen në të ardhmen nga pronarët. Për ta bërë këtë, duhet të plotësohen kushtet apo kriteret që përmban ky projektligj, nëse do kalojë në parlament dhe dekretohet më pas.
Projektligji në fjalë është propozim i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, i hedhur për konsultim publik, sipas së cilit, kriteret përfshijnë elementë të ndërtimit që kanë të bëjnë me eficencën e sistemeve teknike.
“Kërkesat minimale të performancës energjitike për ndërtesat ose njësitë e ndërtesave përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe kanë si synim, të paktën arritjen e nivelit të kostos optimale dhe aty ku është e përshtatshme, kërkesa më të larta veçanërisht për ndërtesat pa emetime”, thuhet aty mes të tjerash.
“Këto kritere jo vetëm që synojnë të përmirësojnë performancën energjetike të ndërtesave, por dhe të reduktojnë emetimet e gazeve serrë të shkaktuara nga stoku i ndërtesave në vend”, specifikohet më tej.
Përmirësimi i efiçencës energjetike në ndërtesa pritet të rezultojë në kursime të konsiderueshme energjie, duke ulur kostot për konsumatorët.
“Në kuadër të nxitjes së qëndrueshmërisë në sektorin energjetik dhe atë të ndërtimit, duke filluar nga viti 2026, të gjitha ndërtesat e reja duhet të projektohen për të shfrytëzuar energjinë diellore në bazë të rrezatimit diellor të zonës dhe për të mundësuar instalimin e teknologjive diellore me kosto efektive”, është një tjetër pikë në projektligj.
Drafti parashikon gjithashtu që në funksion të këtij qëllimi, Këshilli i Ministrave do të miratojë planin kombëtar për rinovimin e ndërtesave, duke synuar transformimin e tyre në një stok me performancë të lartë energjetike, deri në vitin 2050./Shqiptarja