Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka thënë se SHBA e mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e ndalesës kufitare për mallrat që importohen nga Serbia.
Hovenier e ka vlerësuar si hap të rëndësishëm dhe të duhur për Kosovën në rrugën drejt integrimit.
“I kënaqur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e ndalimit për mallrat e gatshme të importuara nga Serbia. Ky është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur për Kosovën në rrugën e tij drejt integrimit europian. Ne vlerësojmë partnerët tanë ndërkombëtarë për përpjekjet e tyre të vazhdueshme për të promovuar tregtinë e lirë në rajon”, ka shkruar Hovenier në “X”.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se mallrat serbe në pikën kufitare në Merdarë do të kalojnë nga faza e qarkullimit të kufizuar të mallrave në fazën e qarkullimit të mallrave me kontrolle manuale të sigurisë.
“Me efekt të menjëhershëm, pika kufitare në Merdarë do të jetë e hapur për të gjitha mallrat, të cilat do t’i nënshtrohen kontrolleve manuale të sigurisë deri në funksionalizimin e skanerëve me rreze X. Pikat tjera kufitare me Serbinë do të hapen për të gjitha mallrat në momentin kur skanerët me rreze X bëhen funksional në ato pika kufitare”, ka shkruar Sveçla në “Facebook”.
Ai ka bërë thirrje që transportuesit e mallrave gjatë kësaj periudhe duhet të kenë parasysh këtë ndryshim dhe të bëjnë planifikimin e duhur të kohës së nevojshme për procedurat e reja të kalimit të pikës kufitare./RTK