Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër pasi media dhe zyrtarë iranianë publikuan mesazhe në mbështetje të protestave kundër projektit turistik në Zvërnec, duke deklaruar se “edhe qeveria e ajatollahëve të Teheranit i është bashkuar zyrtarisht protestës”.

Në një postim në platformën X, Rama tha se protestat kanë dalë prej kohësh përtej kauzës mjedisore dhe janë shndërruar në një lëvizje që kërkon rrëzimin e qeverisë.

“Ja edhe qeveria e ajatollahëve të Teheranit i bashkohet zyrtarisht protestës, madje edhe me parrullat në shqip njësoj si ata që e kthyen nga protestë mjedisore në protestë për rrëzimin e qeverisë”, shkroi Rama.

Kryeministri theksoi se respekton qytetarët që vazhdojnë të protestojnë për mbrojtjen e natyrës, por akuzoi aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë se po përpiqen ta përdorin Shqipërinë për agjenda të tjera politike.

“Shqipëria është shumë e vogël për të rënë në këtë kurth të madh, nga ku rrezikojmë të kthehemi me këmbët tona në pikën që të mos afrohet më asnjë investitor i huaj, ndërsa turizmi të mbetet shumë mbrapa krahasimisht me konkurruesit tanë”, deklaroi ai.

Në reagimin e tij në gjuhën angleze drejtuar autoriteteve iraniane, Rama kujtoi se Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin pas sulmeve kibernetike ndaj institucioneve shqiptare.

“Shqipëria nuk merr leksione për sovranitetin nga një qeveri, operativët e së cilës u kapën duke kryer sulme kibernetike kundër shërbimeve publike dhe institucioneve shqiptare, gjë që çoi në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin”, shkroi kryeministri.

Rama mbrojti gjithashtu të drejtën e protestës në Shqipëri, duke theksuar se qytetarët mund të kritikojnë qeverinë, të kërkojnë zgjedhje apo drejtësi pa frikën e burgosjes.

“Ky quhet demokraci. Në Shqipëri njerëzit janë të lirë të protestojnë kundër qeverisë së tyre, të kritikojnë kryeministrin dhe të kërkojnë zgjedhje pa frikë nga ndëshkimi”, u shpreh ai.

Në fund të reagimit, Rama e cilësoi regjimin iranian si një “shtet terrorist sipas përkufizimit”, duke shtuar se propaganda, profilet e rreme dhe videot e manipuluara nuk do të ndikojnë në opinionin e shqiptarëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu