
Shqipëria hyn në një nga projektet më të mëdha energjetike në rajon, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje 6 miliardë dollarëshe mes ALBGAZ dhe kompanive ndërkombëtare Venture Global dhe Aktor LNG për furnizimin me gaz natyror të lëngshëm nga SHBA.
Projekti 20-vjeçar parashikon ndërtimin e infrastrukturës në Vlorë për importin e gazit me anije dhe rigazifikimin e tij për furnizimin e tregjeve të Europës Jugore. Në plan është edhe rivitalizimi i qendrës energjetike në Vlorë, rritja e kapaciteteve gjeneruese dhe ndërtimi i tubacionit Fier–Vlorë për lidhjen me rrjetin rajonal.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se energjia është sot një element kyç për sigurinë dhe ekonominë e vendit, duke theksuar se objektivi është që Shqipëria të kthehet në një eksportuese neto të energjisë brenda këtij mandati. Ai nënvizoi se partneriteti me SHBA është vendimtar për këtë transformim strategjik .
Sipas Ramës, Vlora do të shndërrohet në një pikë kritike energjetike për Europën Juglindore, ndërsa projekti do të kombinojë furnizimin afatgjatë, zhvillimin e infrastrukturës dhe bashkëpunimin gjeopolitik për sigurinë energjetike.
Marrëveshja u nënshkrua në prani të përfaqësuesve amerikanë dhe grekë, ndërsa Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle theksoi se ky investim forcon sigurinë energjetike dhe kombëtare në të gjithë rajonin.






