
Mbi 250 mijë persona janë detyruar të largohen nga banesat e tyre për shkak të zjarreve masive që po përfshijnë Francën dhe Spanjën, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se situata mbetet kritike për shkak të erërave të forta dhe temperaturave të larta.
Në Francë, rreth 200 mijë banorë janë evakuuar në rajonet Gironde dhe Landes, ku flakët po përhapen drejt zonës së Bordosë. Gjatë natës, banorët e shtatë qyteteve në perëndim të Bordosë u urdhëruan të largohen, ndërsa ushtria është angazhuar për të ndihmuar zjarrfikësit në krijimin e korridoreve mbrojtëse dhe pastrimin e bimësisë.
Autoritetet franceze bëjnë të ditur se zjarri ndodhet rreth 40-50 kilometra nga Bordoja, por tymi i dendur ka mbuluar qytetin. Presidenti Emmanuel Macron ka thirrur një mbledhje emergjente me ministrat, ndërsa në vend po luftohen rreth 30 vatra zjarri. Që nga fillimi i vitit janë djegur rreth 98 mijë hektarë tokë.
Në Spanjë, ku është shpallur gjendja e emergjencës, kushtet atmosferike janë përmirësuar disi pranë Madridit, duke ndihmuar operacionet e shuarjes. Megjithatë, një burrë rreth të 70-ave humbi jetën në rajonin e Valencias, ku u gjet i pajetë brenda automjetit të tij gjatë ndërhyrjes së zjarrfikësve.
Sipas Ministrisë së Brendshme spanjolle, afro 60 mijë persona janë evakuuar nga rajonet e Madridit dhe Avilës, ndërsa mbi 28 mijë të tjerë vijojnë të qëndrojnë të izoluar në banesa. Kryeministri Pedro Sánchez deklaroi se deri tani janë djegur 130 mijë hektarë tokë, mbi mesataren vjetore të dekadës së fundit.
Edhe Italia po përballet me situatë të vështirë, ku në Siçili janë regjistruar mbi 350 zjarre, ndërsa Bashkimi Evropian ka aktivizuar mekanizmin e mbrojtjes civile për të ndihmuar Francën me avionë zjarrfikës, helikopterë dhe ekipe nga disa vende anëtare.
Komisionerja evropiane për Menaxhimin e Krizave, Hadja Lahbib, paralajmëroi se dëmet nga zjarret këtë verë mund të tejkalojnë çdo rekord të mëparshëm, pasi sezoni ka nisur më herët dhe priten valë të tjera të nxehti.






