
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka përsëritur se Kosova është pjesë e Serbisë, ndërsa u bëri thirrje Forcave të Armatosura të mbrojnë, sipas tij, integritetin territorial të vendit.
Gjatë ceremonisë së diplomimit të kadetëve të rinj në kazermën “Gjenerali Jovan Mishkoviç” në Banjicë, Vuçiç deklaroi se Kosova është pjesë e Serbisë “sipas Kushtetutës dhe drejtësisë së Zotit”, duke shtuar se ajo duhet mbrojtur pa kërcënuar apo sulmuar askënd.
Presidenti serb kritikoi gjithashtu aleancën ushtarake mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, duke pretenduar se ajo është krijuar kundër Serbisë.
“Ata po formojnë aleanca kundër nesh në rajon. Ne i kemi kuptuar këto lëvizje dhe kemi ndërmarrë hapat e nevojshëm. Në kohë të trazuara, ju jeni garantuesit e sigurisë së Serbisë. Ju presin ditë përgjegjësie dhe sfida më të vështira”, u shpreh Vuçiç para ushtarakëve.
Ai theksoi gjithashtu se ushtria serbe është forcuar ndjeshëm me armatime të reja dhe pretendoi se kapacitetet e saj ushtarake nuk krahasohen me ato të vendeve të tjera të rajonit.
Deklaratat e Vuçiç vijnë në një periudhë tensionesh të vazhdueshme në raportet mes Beogradit dhe Prishtinës, si edhe pas kritikave të përsëritura të autoriteteve serbe ndaj bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë.






