Dokumenti strategjik “BESA”, i prezantuar nga kryeministri Edi Rama në mbledhjen e kabinetit qeveritar dhe grupit parlamentar socialist, parashikon ngritjen e një sërë strukturash dhe mekanizmash të rinj që synojnë të ndryshojnë mënyrën e funksionimit të qeverisjes dhe administratës publike.

Sipas dokumentit, një nga risitë kryesore është krijimi i Njësisë BESA pranë strukturës së planifikimit strategjik në Kryeministri. Kjo njësi do të koordinojë zbatimin e metodës BESA, duke lidhur standardet, raportimin dhe shkëmbimin e të dhënave mes institucioneve, pa ndërhyrë në kompetencat e ministrive.

Një tjetër element është platforma dixhitale “Flamingo Mirror”, e konceptuar si një hapësirë publike dygjuhëshe ku do të publikohen dokumente, konsultime, afate, angazhime dhe rezultatet e vendimeve me interes të lartë publik. Qëllimi i saj është rritja e transparencës dhe lufta kundër dezinformimit përmes publikimit të dokumentacionit zyrtar.

Dokumenti parashikon gjithashtu ngritjen e Barometrit Kombëtar të Besimit, një instrument që do të masë nivelin e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve. Rezultatet do të përdoren si tregues për vlerësimin e performancës institucionale, ndërsa metodologjia dhe të dhënat e përmbledhura do të jenë publike.

Në plan përfshihet edhe Laboratori i Politikave Publike, një mekanizëm që do të testojë reformat në shkallë të kufizuar përpara zbatimit të tyre në të gjithë vendin. Sipas dokumentit, laboratori nuk do të krijohet si institucion i ri, por do të funksionojë si një model pilot për të vlerësuar efektet e politikave të reja para miratimit përfundimtar.

Dokumenti “BESA” synon të vendosë mekanizma të rinj koordinimi, monitorimi dhe transparence, si pjesë e modelit të ri të qeverisjes që qeveria synon të zbatojë në mandatin aktual.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu