Janë publikuar pamjet e momentit kur Policia arrin të shpëtojë 24-vjeçaren Rozalinda Plaka, e cila u mbajt peng për disa orë nga ish-partneri i saj, Refit Buzi, pas ngjarjes tragjike në fshatin Vidhisht të Roskovecit.

Në video shihet e reja duke zbritur nga automjeti në gjendje të rënduar emocionale. Pasi ecën disa hapa zbathur, ajo ulet në gjunjë, ndërsa shefi i Policisë së Roskovecit, Mariglen Korroveshaj, afrohet për ta marrë në siguri, duke vijuar njëkohësisht negociatat me autorin.

Sipas informacioneve të bëra publike, fillimisht 35-vjeçari refuzoi ta lironte pengun dhe paralajmëroi efektivët të mos afroheshin. Gjatë bisedimeve, drejtuesi i Policisë i kërkoi të mos i bënte keq 24-vjeçares, ndërsa pas disa minutash autori pranoi ta lironte duke thënë: “Vajzën ta besoj ty, eja merre”.

Efektivi e mori të renë në krahë dhe e largoi nga automjeti, ndërsa më pas u rikthye për të vijuar negociatat me 35-vjeçarin. Pavarësisht përpjekjeve të Policisë dhe ekipit negociator të RENEA-s, autori refuzoi të dorëzohej dhe më pas dyshohet se i dha fund jetës me armën që kishte me vete.

Ngjarja nisi mëngjesin e 24 korrikut, kur Refit Buzi shkoi në banesën e familjes Plaka në Vidhisht të Roskovecit, ku vrau me armë gjahu Kosta Plakun, plagosi rëndë bashkëshorten e tij Belere Plaku, e cila ndërroi jetë më vonë në spital, dhe mori peng ish-të fejuarën e tij.

Sipas familjarëve të viktimës, autori nuk e kishte pranuar ndarjen dhe e kërcënonte vazhdimisht 24-vjeçaren, ndërsa familja e tij pretendon se mes tyre kishte edhe një konflikt për çështje financiare.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu