Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njoftoi se gjatë ditës së sotme janë menaxhuar 16 vatra zjarri në disa qarqe të vendit, ndërsa pesë prej tyre vijojnë të jenë aktive, por janë vënë nën kontroll.

Sipas AKMC-së, operacionet u zhvilluan në zonat e Hajdarajt në Kavajë, Drizë–Peshtan në Fier, Tale në Lezhë, Ulën në Elbasan, Divjakë dhe në vatra të tjera, ku strukturat operacionale po vijojnë punën për shuarjen përfundimtare të flakëve.

Në terren u angazhuan 261 forca operacionale, 40 automjete zjarrfikëse, dy helikopterë, 30 efektivë dhe dy mjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura, si edhe efektivë të Policisë së Shtetit, FNSH-së, Shërbimit Pyjor, strukturave vendore të emergjencave civile dhe shërbimeve shëndetësore.

AKMC shprehu mirënjohje për pilotët dhe ekuipazhet e helikopterëve të Forcave të Armatosura, si dhe për efektivët që ndërhynë në terren në kushte të vështira, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në menaxhimin e situatës.

Falënderime u përcollën edhe për zjarrfikësit e bashkive Fier, Kavajë, Lezhë, Kurbin, Elbasan, Divjakë, Rrogozhinë, Lushnjë, Durrës dhe Kamëz, të cilët, sipas Agjencisë, bashkëpunuan me profesionalizëm dhe përkushtim për mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu