
Moderna dhe Merck kanë njoftuar rezultate pozitive nga faza e tretë e provave klinike për një vaksinë të personalizuar kundër melanomës, forma më vdekjeprurëse e kancerit të lëkurës.
Trajtimi eksperimental Intismeran përdor teknologjinë mRNA dhe prodhohet posaçërisht sipas mutacioneve të tumorit të çdo pacienti. Ai kombinohet me imunoterapinë Keytruda të Merck-ut, me synimin që sistemi imunitar të njohë dhe të sulmojë qelizat kancerogjene.
Në studim morën pjesë 1 mijë e 137 pacientë me melanoma të fazave 2B deri në 4, të cilëve tumori u ishte hequr kirurgjikalisht. Sipas kompanive, kombinimi uli ndjeshëm rrezikun e rikthimit të sëmundjes dhe të metastazave krahasuar me Keytruda-n e përdorur më vete. Nuk u evidentuan probleme të reja sigurie.
Megjithatë, Moderna dhe Merck nuk kanë publikuar ende rezultatet e plota të fazës së tretë dhe as të dhënat për mbijetesën e përgjithshme. Në fazën e mëparshme, kombinimi kishte ulur me 49% rrezikun e rikthimit të sëmundjes ose vdekjes dhe me 59% rrezikun e metastazave ose vdekjes.
Rezultatet shkaktuan një reagim të fortë në bursë. Aksionet e Moderna-s u rritën 177%, duke u mbyllur në 174 dollarë, ndërsa kapitalizimi i kompanisë u shtua me rreth 44 miliardë dollarë. Aksionet e Merck-ut fituan 12.6% dhe arritën nivel rekord.
Vaksina mbetet eksperimentale dhe mund të dalë në treg gjatë vitit 2027, nëse merr miratimin e autoriteteve rregullatore.



