Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se forcat ukrainase kanë kryer me sukses një goditje të largët ndaj një objekti ushtarak rus duke përdorur raketën Flamingo. Sipas tij, objektivi i goditur ndodhet në Cheboksary, rreth 1 mijë kilometra larg kufirit me Ukrainën dhe furnizon ushtrinë ruse me komponentë për dronë dhe raketa.

Zelensky tha gjithashtu se janë goditur edhe objekte të sektorit energjetik dhe naftës në territorin rus, në kuadër të strategjisë së Kievit për të dëmtuar kapacitetet ushtarake dhe logjistike të Moskës.

Deklarata vjen në një kohë kur lufta po shoqërohet me sulme intensive me dronë nga të dyja palët, ndërsa Rusia dhe Ukraina vazhdojnë të godasin objektiva larg vijës së frontit.

Rusia po zgjeron ndjeshëm praninë e saj ushtarake pranë kufijve të vendeve të NATO-s në Europën Veriore dhe rajonin baltik. Sipas një hetimi të përbashkët të mediave nordike dhe baltike, bazuar në imazhe satelitore, Moska po ndërton kazerma të reja, depo municionesh dhe infrastrukturë ushtarake që mund të strehojnë deri në 115 mijë ushtarë.

Objektet e reja janë identifikuar në disa zona strategjike pranë kufijve me Norvegjinë, Finlandën dhe shtetet baltike. Ekspertët e sigurisë të intervistuar nga mediat skandinave paralajmërojnë se këto investime nuk janë thjesht demonstrim force, por krijim kapacitetesh për një përballje të mundshme me NATO-n në të ardhmen.

Zhvillimet vijnë në një moment kur Bashkimi Europian ka miratuar paketën e 21-të të sanksioneve ndaj Rusisë, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaron se ushtria ukrainase ka goditur objektiva ushtarake dhe energjetike në thellësi të territorit rus, deri në 1 mijë kilometra larg kufirit.

Nga ana tjetër, NATO ka zhvilluar diskutime të posaçme për sigurinë në krahun lindor dhe në rajonin e Detit të Zi, pas incidenteve të fundit me dronë pranë territorit të vendeve aleate. Aleanca ka theksuar se po punon me shtetet anëtare për të përforcuar mbrojtjen ajrore dhe kapacitetet kundër dronëve.

Ndërsa lufta hyn në ditën e 1569-të, përpjekjet diplomatike për një zgjidhje mbeten të vështira, me Moskën që shprehet skeptike ndaj nismave europiane për ndërmjetësim dhe Kievin që kërkon mbështetje më të madhe ushtarake nga partnerët perëndimorë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu