
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur alarmin për rritjen e çmimeve të apartamenteve në Tiranë, duke deklaruar se qytetarëve shqiptarë u duhen mesatarisht 18.6 vite punë për të blerë një banesë në kryeqytet.
Në një reagim publik, Tabaku tha se tregu i ndërtimit është kthyer në një “flluskë” të lidhur me pastrimin e parave, ndërsa çmimet janë bërë të papërballueshme për shumicën e familjeve shqiptare.
Sipas saj, rritja e çmimeve nuk justifikohet nga zhvillimi ekonomik, shtimi i popullsisë apo konkurrenca reale në treg.
“18.6 vite pa bërë asgjë tjetër, pa llogaritur jetesën, shpenzimet apo taksat që rriten çdo vit, vetëm për të kursyer dhe blerë një apartament. Kjo tregon se tregu është bërë i paarritshëm për qytetarët shqiptarë”, deklaroi Tabaku.
Deputetja demokrate theksoi se çmimet e apartamenteve në Tiranë janë rritur me 41.6% nga viti në vit, një ritëm që sipas saj është ndër më të lartët në rajon dhe më i lartë se në shumë vende të Bashkimit Europian.
Ajo shtoi se sektori i ndërtimit po prodhon një rritje “fiktive” të ekonomisë, ndërsa përfitimet mbeten të përqendruara tek një pakicë.
“Ekonomia mund të duket sikur rritet, por kjo rritje mbetet e përqendruar tek një pakicë, ndërsa shumica e shqiptarëve nuk kanë akses në të”, u shpreh Tabaku.
Sipas saj, qytetarët po përballen me kosto gjithnjë e më të larta jetese dhe me pamundësi për të siguruar një banesë në kryeqytet.



