
Deputeti socialist Erion Braçe ka lëshuar kritika të forta ndaj drejtueses politike të PS për qarkun Fier, Belinda Balluku, duke deklaruar se nuk sheh asnjë angazhim të saj për çështjet e bujqësisë në zonë.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë”, Braçe u shpreh se priste që prania e Ballukut në Fier të sillte më shumë vëmendje për fermerët dhe problematikat e sektorit bujqësor, por sipas tij kjo nuk ka ndodhur.
“Do doja që prezenca e saj në Fier të ndihmonte në çështje në lidhje me bujqësinë. Deri tani nuk e shoh”, deklaroi Braçe.
Ai kritikoi edhe ministrin e Financave, Petrit Malaj, deputet në Lushnjë, duke thënë se edhe ai nuk është angazhuar për problemet e bujqësisë.
“Nuk shoh as ministrin e Financave që është deputet në Lushnjë të angazhuar me atë problematik. Fare zero”, tha deputeti socialist.
Braçe foli edhe për situatën e sigurisë ushqimore, duke paralajmëruar se problemet nuk duhet të përdoren për të goditur të gjithë sektorin bujqësor.
Sipas tij, fermerët shqiptarë prodhojnë “mirë dhe ndershëm”, edhe pse ka raste të izoluara abuzimesh.
“Nuk mund të shkojmë drejt monopolizimit të tregut për shkak të sigurisë ushqimore”, u shpreh ai.



