Rusia ka akuzuar Ukrainën për kryerjen e një sulmi të paprecedentë me dronë ndaj rajonit të Shën Petersburgut, në një nga operacionet më të mëdha ajrore që nga fillimi i luftës.

Sipas autoriteteve ruse, mbi 140 dronë ukrainas janë rrëzuar mbi rajonin e Leningradit, ndërsa guvernatori Aleksandr Drozdenko tha se sulmet shkaktuan zjarr në një objekt ushtarak dhe dëme të kufizuara materiale.

Për herë të parë që nga nisja e luftës, guvernatori i Shën Petersburgut, Aleksandër Beglov, u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë brenda banesave për arsye sigurie.

Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se forcat ukrainase goditën arsenale të marinës ruse dhe një bazë ushtarake në Kronstadt, pranë Shën Petersburgut.

Sipas Zelenskyt, dronët ukrainas përshkuan rreth 1 mijë kilometra për të arritur objektivat, ndërsa një depo nafte në rajonin rus të Krasnodarit u godit gjithashtu gjatë operacionit.

“Është koha për t’i dhënë fund kësaj lufte”, deklaroi Zelensky, duke akuzuar presidentin rus Vladimir Putin se dëshiron vazhdimin e konfliktit.

Sulmet vijnë vetëm një ditë pasi Putin deklaroi gjatë Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut se nuk shihte arsye për një takim të drejtpërdrejtë me Zelenskyn dhe se Rusia do ta përfundojë luftën vetëm pasi të realizohen objektivat e saj strategjike.

Ndërkohë, luftimet vazhdojnë edhe në territoret e pushtuara të Ukrainës. Autoritetet e vendosura nga Moska në rajonin e Luhanskut kanë pezulluar transportin në disa akse rrugore dhe linja hekurudhore pas sulmeve të përsëritura ukrainase ndaj logjistikës ushtarake ruse.

Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës vazhdon të hyjë në një fazë të re, ku sulmet me dronë në thellësi të territorit rus po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, duke rritur presionin mbi Moskën dhe infrastrukturën e saj ushtarake.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu