
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, ka mbyllur fushatën elektorale me një mesazh për ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me proces gjyqësor në Hagë.
Gjatë tubimit përmbyllës, Hamza deklaroi se PDK-ja nuk i harron themeluesit, luftëtarët dhe kontribuuesit që, sipas tij, sakrifikuan për lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.
“Nuk i harrojmë as liderët tanë që sot nuk janë fizikisht mes nesh, por vendin e tyre në historinë e Kosovës nuk mund ta marrë asnjë padrejtësi. Presidenti Thaçi, kryetari Veseli, baci Jakup e Rexha do të kthehen edhe më të fortë. I presim me padurim. Na ka marrë malli për ta dhe i duhen Kosovës”, u shpreh Hamza.
Ai theksoi se PDK-ja ka qenë pjesë e momenteve më të rëndësishme të shtetformimit të Kosovës, duke përmendur shpalljen e pavarësisë, ndërtimin e institucioneve dhe orientimin euroatlantik të vendit.
Hamza tha se partia e tij synon të ndërtojë një Kosovë me arsim më cilësor, shëndetësi më efikase dhe institucione në shërbim të qytetarëve.
“Kjo është Kosova që duam. Kjo është Kosova që e meritojmë. Kjo është Kosova për të cilën do të punojmë çdo ditë”, deklaroi kandidati i PDK-së.
Në fund të fushatës, Hamza u bëri thirrje qytetarëve që të mbështesin vizionin e partisë së tij për qeverisjen e ardhshme të Kosovës.






