Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj protestave që po zhvillohen në Tiranë, duke publikuar një video ku shfaqen protestues që u bëjnë thirrje qytetarëve në një “fan zone” të Botërorit 2026 për t’iu bashkuar marshimit.

Në një mesazh të gjatë në rrjetet sociale, Rama akuzoi organizatorët e protestës se po shfaqin tipare të ekstremizmit, duke zëvendësuar dialogun me presionin dhe argumentin me intimidimin. Sipas tij, një pjesë e protestuesve po krijojnë një klimë frike dhe bullizimi, si në rrugë ashtu edhe në rrjetet sociale.

“Një grup vendos se ka të drejtë të frikësojë të tjerët për hir të atdheut. Britma zë vendin e argumentit. Rrethimi zë vendin e dialogut. Intimidimi paraqitet si aktivizëm dhe linçimi publik i tradhtarëve si drejtësi e Zotit në emër të popullit”, shkroi Rama.

Kreu i qeverisë krahasoi fenomenin me lëvizjet ekstremiste të Europës së periudhës para Luftës së Dytë Botërore, duke paralajmëruar se presioni i turmës dhe fushatat e organizuara të damkosjes synojnë të heshtin mendimin ndryshe.

Sipas Ramës, videot dhe sjelljet e shfaqura gjatë protestave tregojnë një realitet që, sipas tij, bie ndesh me vlerat e qytetarisë demokratike dhe të debatit të lirë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu