Screenshot

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për protestat kundër projektit në Zvërnec, duke përdorur një metaforë të fortë për aktivistët e njohur si “Flamingot”, të cilët prej ditësh kundërshtojnë zhvillimet e planifikuara në zonë.

Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Rama citon shprehjen e vjetër se “rruga për në ferr është e shtruar me qëllime të mira”, duke argumentuar se shqetësimi për mbrojtjen e natyrës është legjitim, por se ai duhet të mbështetet te faktet, arsyeja dhe dialogu.

Kreu i qeverisë shprehet se ka simpati për qytetarët që iu bashkuan protestës nga shqetësimi për mjedisin, madje duke vlerësuar simbolikën e flamingove rozë. Megjithatë, sipas tij, protesta është shndërruar gradualisht në një demonstrim politik “të varfër në ide dhe argumente”, ndërsa akuzon një pjesë të pjesëmarrësve për bullizëm dhe refuzim të debatit.

“Problemi nuk janë flamingot. Qëllimi i tyre është i mirë. Problemi është se flamingot nuk pranojnë të dëgjojnë faktet, të diskutojnë zgjidhjet dhe të bashkërendojnë forcat me institucionet”, shkruan Rama.

Ai shkon më tej duke deklaruar se aktivistët po përdoren nga “sorra dhe korba”, të cilët sipas tij ushqehen me teori konspirative, shpifje dhe zhurmë politike.

“Flamingot bëhen vegla e sorrave dhe korbave që i kanë rrethuar”, thekson kryeministri, duke shtuar se nuk arrin të kuptojë pse protestuesit nuk distancohen nga ata që, sipas tij, synojnë të pengojnë zhvillimin e vendit.

Në fund të reagimit, Rama fton protestuesit të angazhohen në një diskutim konstruktiv për të ardhmen e zonës dhe zhvillimin e Shqipërisë, ndërsa nënvizon se debatet duhet të bazohen te faktet dhe ekspertiza, jo te dogmat apo emocionet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu