Shfaqen për herë të parë pamjet nga kamerat e sigurisë brenda filialit të Postës Shqiptare në Durrës, ku po hetohet skandali financiar që çoi në arrestimin e ish-drejtoreshës Elisabeta Mataj dhe vendosjen në “arrest shtëpie” të ish-shefes së financës, Valbona Duni, si edhe të ish-arkëtares Paola Dana.

Në videon duket momenti kur Valbona Duni hyn në arkën e filialit, merr një shumë parash, i fut në një thes dhe largohet nga ambientet. Në pamje ajo shihet gjithashtu duke biseduar me ish-arkëtaren Paola Dana.

Ndërkohë, çështja ka marrë një zhvillim të ri. Dy ditë pas caktimit të masës së sigurisë ndaj Valbona Dunit, bashkëshorti i ish-drejtoreshës Elisabeta Mataj ka depozituar një kallëzim penal në Policinë e Durrësit, duke kërkuar hetim të plotë ndaj ish-shefes së financës.

Sipas kallëzimit, Feta Mataj pretendon se bashkëshortja e tij është bërë padrejtësisht përgjegjëse për skandalin financiar, ndërsa ngre dyshime se Valbona Duni ka krijuar pasuri të pajustifikuara me të ardhurat e saj. Ai kërkon verifikimin e burimit të pasurisë, të bizneseve dhe të aktivitetit ekonomik të familjarëve të saj, duke ngritur dyshime edhe për pastrim parash.

Mataj pretendon se pasuria e familjes Duni është rritur ndjeshëm pas vitit 2020, periudhë që përkon me administrimin e fondeve të rindërtimit nga Posta Shqiptare, dhe kërkon që organet e drejtësisë të kryejnë një hetim të plotë financiar dhe pasuror.

Ndërkohë, sipas Policisë së Durrësit, kallëzimi do t’i referohet Prokurorisë, e cila do të vlerësojë pretendimet dhe do të vendosë nëse do të regjistrojë procedim penal për akuzat e ngritura.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu