Protesta e studentëve në Tiranë është përshkallëzuar mbrëmjen e kësaj të marte, 13 tetor, duke u zhvendosur nga Ministria e Arsimit drejt Bashkisë së Tiranës, ku protestuesit kanë thyer derën hyrëse dhe kanë hyrë në ambientet e institucionit.

Sipas pamjeve dhe raportimeve të BalkanWeb, protestuesit kanë goditur me gurë godinën e Bashkisë, duke shkaktuar dëmtime në xhama dhe në hyrjen kryesore.

Pas thyerjes së derës, një grup protestuesish ka arritur të futet brenda ambienteve të institucionit, ndërsa forca të shumta policie kanë ndërhyrë për t’i shpërndarë dhe për të rivendosur rendin.

Incidentet në Bashkinë e Tiranës pasuan disa orë përplasjesh të dhunshme përpara Ministrisë së Arsimit, ku protesta nisi mesditën e sotme.

Gjatë tubimit, protestuesit dëmtuan rrethimin e jashtëm të ministrisë, thyen xhamat dhe goditën fasadën e godinës me gurë dhe pllaka trotuari.

Policia e Shtetit deklaroi se gjatë përplasjeve efektivët u sulmuan me molotovë, kapsolla dhe sende të forta, ndërsa forcat e rendit ndërhynë duke përdorur edhe gaz lotsjellës dhe ujë për shpërndarjen e protestuesve.

Sipas bilancit të publikuar më herët nga policia, 23 persona u shoqëruan, ndërsa gjashtë efektivë dhe një gazetare mbetën të lënduar. Të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Protesta u shoqërua gjithashtu me tensione në Rrugën e Durrësit, ku u regjistruan dëmtime dhe incidente të tjera.

Ndërkohë, zhvillimet kanë shkaktuar reagime të forta politike. Përfaqësues të mazhorancës kanë dënuar sulmet ndaj institucioneve dhe policisë, ndërsa opozita ka akuzuar forcat e rendit për përdorim të dhunës ndaj studentëve.

Ende nuk ka një bilanc të ri zyrtar për dëmet dhe shoqërimet pas incidenteve të mbrëmjes në Bashkinë e Tiranës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu