Një arkiv masiv me rreth 170 mijë dokumente të sapopublikuara po rikthen në qendër të vëmendjes një nga pasojat më të rënda të sulmeve të 11 Shtatorit 2001 në Nju Jork: ajrin toksik që mijëra njerëz thithën pas shembjes së Kullave Binjake.

Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, deklaroi se dokumentet tregojnë se nivele të rrezikshme ndotjeje po regjistroheshin në Manhattan, ndërkohë që publikut i thuhej se zona ishte e sigurt.

“Një pjesë e njerëzve u sëmurën sepse drejtuesit të cilëve u besuan i gënjyen dhe u thanë se ishte e sigurt të merrnin frymë në ajër toksik”, deklaroi Mamdani.

Sipas dokumenteve, asbest u gjet në pothuajse të gjitha zonat e testuara pranë Ground Zero dhe vazhdoi të evidentohej për muaj pas sulmeve.

Në konferencën për shtyp ishte edhe moderatori Jon Stewart, prej vitesh një nga zërat më të fortë në mbrojtje të të mbijetuarve dhe ekipeve të emergjencës së 11 Shtatorit.

Stewart tha se dokumentet tregojnë se autoritetet e qytetit e dinin që në tetor 2001 se ajri ishte toksik.

“Për të qenë të drejtë me ta, këtë informacion e varrosën vetëm për 25 vjet”, ironizoi ai.

Mes materialeve ndodhet edhe një komunikim i tetorit 2001, i njohur si “Harding Memo”, ku paralajmërohej se qyteti mund të përballej me deri në 35 mijë pretendime ligjore, pasi udhëzimet shëndetësore mund t’i kishin nxitur njerëzit të riktheheshin shumë shpejt në zonën e ekspozuar ndaj toksinave.

Vetëm pak ditë pas sulmeve, autoritetet lokale dhe federale, përfshirë Agjencinë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit, kishin deklaruar se ajri pranë rrënojave ishte i sigurt.

Pasojat rezultuan dramatike. Sipas autoriteteve shëndetësore amerikane, sëmundjet e lidhura me pluhurin dhe tymin e 11 Shtatorit kanë shkaktuar tashmë më shumë viktima sesa afro 3 mijë personat që humbën jetën drejtpërdrejt nga sulmet terroriste.

Dokumentet publikohen në prag të 25-vjetorit të 11 Shtatorit, ndërsa mijëra persona vazhdojnë të përballen me pasoja shëndetësore, përfshirë sëmundje të rënda respiratore dhe kancer.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu