
Jamarbër Malltezi ka reaguar pas akuzave të artikuluara gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë në Tiranë, ku një qytetare pretendoi se familja Berisha i kishte marrë 63 hektarë tokë në Divjakë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Malltezi i cilësoi pretendimet si “gënjeshtër të plotë” dhe “shpifje të turpshme”, duke mohuar kategorikisht që familja e ish-kryeministrit Sali Berisha të ketë pasur ndonjëherë prona në Divjakë.
“Argita Berisha dhe familja e ish-kryeministrit Berisha nuk kanë dhe nuk kanë pasur kurrë asnjë centimetër tokë në Divjakë dhe nuk i kanë marrë kujt kurrë asnjë metër katror tokë”, shkruan Malltezi.
Ai kërkoi identifikimin e personit që bëri deklaratën në protestë, duke paralajmëruar padi për shpifje dhe mashtrim.
Në reagimin e tij, Malltezi pretendon se familja Berisha është hetuar për dekada dhe se nuk ka përfituar asnjëherë fonde publike, tendera apo prona publike dhe private.
Malltezi lidh akuzat e fundit me debatin politik të ditëve të fundit, duke pretenduar se ato përdoren për të shmangur vëmendjen nga çështje të tjera që, sipas tij, lidhen me qeverinë.
Në fund të reagimit, ai thekson se Sali Berisha mbështet protestën e të rinjve dhe qytetarëve, por jo, sipas tij, shpifjet që dëmtojnë kauzat publike.






