
Lëvizja Vetëvendosje pritet të rikandidojë Albulena Haxhiun për postin e kryetares së Kuvendit të Kosovës. Këtë e bëri të ditur nënkryetari i partisë, Glauk Konjufca, i cili tha se pret që emri i saj të mbetet i pandryshuar edhe në seancën e ardhshme.
Konjufca sqaroi se çështja nuk është diskutuar ende në organet drejtuese të LVV-së, por shtoi se vendimi përfundimtar do të merret në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë.
“Ne tashmë e kemi vendosur kryetaren e Kuvendit dhe ajo është zonja Albulena Haxhiu. Besoj se do të jetë i njëjti propozim”, deklaroi ai.
Duke komentuar përpjekjet për zhbllokimin e situatës politike, Konjufca tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka ftuar në takim të gjitha partitë që deri tani kanë qenë në opozitë.
Sipas tij, përgjigjet e marra deri tani tregojnë se ekziston më shumë gatishmëri për të shmangur zgjedhjet e reja, megjithëse PDK ka mbajtur të njëjtin qëndrim si më parë. Për LDK-në, ai u shpreh se ka sinjale për një vullnet më të madh për të tejkaluar ngërçin institucional.
Konjufca theksoi se mundësitë për arritjen e një marrëveshjeje varen nga gatishmëria e partive për bashkëpunim, ndërsa shtoi se LVV respekton autonominë e LDK-së për vendimmarrjet e saj të brendshme.






