
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër për trajtimin e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, duke e cilësuar atë si “akt hakmarrjeje primitive” të urdhëruar nga kryeministri Edi Rama.
Në një konferencë për mediat, Berisha deklaroi se Partia Demokratike dënon trajtimin që i është bërë Metës në burg dhe kërkon lirimin e tij të menjëhershëm. Ai e cilësoi paraqitjen e Metës në sallën e gjyqit në “kafaz xhami” si një veprim çnjerëzor dhe të papranueshëm.
Sipas Berishës, ndaj Metës nuk ekzistojnë prova të faktuara për një vepër penale, ndërsa shtoi se gjatë qëndrimit në paraburgim, ai ka qenë subjekt i presioneve dhe shkeljeve të të drejtave themelore.
Kreu i PD akuzoi drejtpërdrejt Ramën për urdhërimin e arrestimit dhe trajtimit të Metës, duke e lidhur këtë çështje me një klimë hakmarrjeje politike.
Në përfundim, Partia Demokratike i bëri thirrje Këshillit të Evropës dhe mekanizmave ndërkombëtarë, përfshirë Komitetin Antitorturë, që të ndërhyjnë për situatën e krijuar dhe të monitorojnë trajtimin e Metës në burg.






