
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në ceremoninë shtetërore të lamtumirës për figurën e shquar të politikës shqiptare, ish-kryetarin e Kuvendit dhe akademikun Servet Pëllumbi.
Në homazhet e zhvilluara, Rama vendosi një kurorë me lule në nderim të kujtimit të tij dhe shprehu ngushëllimet për familjarët, miqtë dhe të afërmit.
Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë, kryeministri tregoi se marrëdhënia e tij me Servet Pëllumbin kishte kaluar nga “një antipati reciproke në distancë” në “një simpati reciproke në afërsi”.
“Për vite, profesori përfaqësonte gjithçka që unë nuk simpatizoja; konservator, marksist-leninist, sovjetik. Por për surprizën time, kam njohur një njeri shumë progresist, shumë dashamirës ndaj kujtdo që përpiqej të bënte diçka ndryshe”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë tha se Pëllumbi kishte qenë mbështetës në momente të vështira, duke i dërguar shpesh mesazhe inkurajuese.
Rama e cilësoi Servet Pëllumbin si një pikë referimi në historinë politike të vendit dhe të Partisë Socialiste, ndërsa theksoi se kujtimi që ai lë pas është ai i “një burri të mirë, të ndershëm, të mençur dhe mbi të gjitha babaxhan”.



