Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ka bërë sërish thirrje partive parlamentare në Kosovë që të arrijnë një marrëveshje politike për konstituimin e institucioneve dhe të shmangin zgjedhjet e reja.

Kurti deklaroi se komunikimet me partitë e tjera vazhdojnë dhe konfirmoi se është në kontakt edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Sipas tij, marrëveshja politike është rruga për të dalë nga ngërçi institucional.

“Jemi në komunikim dhe do të përpiqemi për çdo ditë që të arrijmë marrëveshje politike, në mënyrë që të shmangim zgjedhjet e panevojshme e të paarsyeshme, sepse ato vetëm sa do të përsëriten. U bëj thirrje edhe njëherë liderëve të partive të tjera që të diskutojmë e merremi vesh, sepse qytetarët nuk duan zgjedhje, por zgjidhje, e zgjidhja është marrëveshja politike”, tha Kurti.

Seanca konstituive e Kuvendit u ndërpre sërish të shtunën, pasi Kurti kërkoi më shumë kohë për propozimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit. Ai argumentoi se ende nuk është arritur marrëveshja e nevojshme politike.

Kurti tha se takimet dhe komunikimet e tij me drejtuesit e partive të tjera parlamentare kanë vazhduar, por pa prodhuar deri tani një marrëveshje.

Situata në Kuvend u tensionua pas kërkesës së tij për kohë shtesë. Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, e qëlloi Kurtin me vezë, ndërsa pas përshkallëzimit të situatës kryesuesi i seancës kërkoi ndërhyrjen e sigurimit të Kuvendit.

Sipas rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit të cituara nga media, LVV-ja siguroi 53 deputetë, PDK-ja 22, LDK-ja 18 dhe Aleanca 7.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu