KFOR-i ka nisur tranzicionin gradual të pranisë së tij të përhershme nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, ndërsa përgjegjësia për sigurinë pritet t’i kalojë Policisë së Kosovës.

Misioni paqeruajtës i NATO-s ka bërë të ditur se procesi është pjesë e optimizimit të pranisë së KFOR-it në Kosovë dhe lidhet me vlerësimin për përmirësimin e situatës së sigurisë.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e cilësoi zhvillimin si një lajm të mirë, duke deklaruar se transferimi i përgjegjësisë do të realizohet në koordinim të ngushtë me KFOR-in.

“Të gjithë jemi dëshmitarë të fillimit të një procesi ku përgjegjësia për sigurinë në Urën e Mitrovicës do t’i kalojë Policisë së Kosovës”, deklaroi Sveçla.

Sipas tij, ky zhvillim vjen pas punës së institucioneve të sigurisë dhe rezultateve të Policisë së Kosovës në garantimin e rendit dhe sigurisë për qytetarët.

Sveçla bëri të ditur se, nëse situata e sigurisë vazhdon të përmirësohet, edhe prania e Policisë së Kosovës në urë do të reduktohet gradualisht.

Ende nuk është dhënë një datë e saktë për heqjen e pengesave dhe hapjen e urës për qarkullimin e automjeteve. Aktualisht ura kryesore mbi Ibër është e hapur vetëm për këmbësorët.

Ura lidh Mitrovicën e Jugut, me shumicë shqiptare, me Mitrovicën e Veriut, me shumicë serbe, dhe prej vitesh konsiderohet një nga pikat më të ndjeshme të sigurisë në Kosovë.

Duke folur edhe për deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq lidhur me Liqenin e Ujmanit, Sveçla tha se Kosova është e përgatitur të marrë përgjegjësitë për garantimin e sigurisë.

“Serbia nuk ka ndryshuar, është po ajo Serbi e viteve 1998 dhe 1999, por Kosova nuk është më e njëjta. Kosova po forcohet, po ecën përpara”, deklaroi ai.

Historia e pranisë së KFOR-it në Urën e Ibrit nis në verën e vitit 1999. Pas përfundimit të luftës dhe hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, Mitrovica u përfshi në sektorin francez të KFOR-it.

Ushtarët francezë morën nën kontroll urën kryesore mbi Ibër, e cila shumë shpejt u shndërrua në vijën ndarëse mes jugut me shumicë shqiptare dhe veriut me shumicë serbe.

Në fund të qershorit 1999, trupat franceze kishin vendosur tela me gjemba dhe barriera në urat e qytetit, ndërsa gjatë korrikut dhe gushtit ura kryesore u bë skenë e protestave dhe përplasjeve të përsëritura.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu