
Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho, ka prezantuar raportin vjetor të SPAK për vitin 2025, duke theksuar rritjen e hetimeve dhe rezultatet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Gjatë raportimit në KLP, Braho bëri të ditur se gjatë vitit 2025 janë hetuar 871 procedime penale, me një rritje të ndjeshme të rolit proaktiv të prokurorëve.
Ai nënvizoi se efektiviteti në gjykim mbetet i lartë, ku 87% e vendimeve janë fajësie, ndërsa janë rritur edhe çështjet që lidhen me korrupsionin, përfshirë zyrtarë të nivelit të lartë.
Në fokus të raportit ishte edhe ndjekja financiare, ku sipas Brahos janë sekuestruar dhe konfiskuar pasuri me vlerë 45.4 milionë euro, përfshirë edhe kriptovaluta.
Kreu i SPAK theksoi gjithashtu se gjatë vitit 2025 është ulur ndjeshëm përdorimi i masës “arrest me burg”, duke reflektuar një qasje më të matur në politikën penale.
Braho u ndal edhe te bashkëpunimi ndërkombëtar, duke e cilësuar SPAK një partner të besueshëm për agjenci si Europol, Eurojust dhe FBI.
Megjithatë, ai pranoi se mbeten sfida për vitin 2026, si hetimi i korrupsionit në nivele të larta, forcimi i kapaciteteve dhe ulja e çështjeve të prapambetura.






