
Zv/kryeministrja, Albana Koçiu ka reaguar pas incidentit të sotëm me deputeten socialiste Iris Luarasi në qendrën tregtare Toptani në Tiranë, ku ajo u përball me protestues.
Koçiu e ka dënuar ashpër ngjarjen, duke deklaruar se ajo që ndodhi nuk mund të konsiderohet protestë apo shprehje e zemërimit qytetar.
“Kjo nuk është as protestë, as shprehje e zemërimit qytetar. Është dhunë e mirëfilltë dhe e shëmtuar, e cila duhet dënuar me forcë, pa asnjë hezitim dhe pa asnjë justifikim”, shkruan Koçiu.
Ajo e cilëson veçanërisht të rëndë faktin që incidenti kishte në shënjestër një grua deputete.
“Dhuna ndaj përfaqësuesve të institucioneve dhe deputetëve, veçanërisht ndaj grave, si në rastin e sotëm ndaj Iris Luarasit, është një akt i turpshëm. Aq më e rëndë bëhet kur nxitet nga vetë gratë”, shprehet Koçiu.
Sipas saj, sjellje të tilla nuk mund të përfaqësojnë standardet e një vendi që synon integrimin europian.
“Sjellje të tilla nuk përfaqësojnë dhe nuk mund të përfaqësojnë Shqipërinë europiane”, përfundon Koçiu.






