Policia e Vlorës ka dhënë detaje paraprake për aksidentin tragjik të ndodhur mbrëmjen e së premtes në zonën e Dajlanit, ku humbi jetën gazetari Enrik Mehmeti, 40 vjeç.

Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 21:40, Mehmeti po lëvizte me një motomjet me katër rrota në një zonë bregdetare jashtë rrugës, kur dyshohet se humbi kontrollin mbi drejtimin e mjetit, i cili u përmbys.

Si pasojë e aksidentit, gazetari pësoi dëmtime të rënda trupore. Ai u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve, pavarësisht ndihmës së mjekëve.

Në motomjet ndodhej edhe një pasagjer, shtetasi K. S., rreth 18 vjeç, i cili ka pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga verifikimet paraprake rezulton se aksidenti ka ndodhur jashtë zonës rrugore, në një sipërfaqe bregdetare, pa përfshirjen e mjeteve të tjera apo përdoruesve të rrugës.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu