
Rreth 40 studentë të Akademisë së Sigurisë në Tiranë dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të ushqimit në ambientet e institucionit.
Sipas informacioneve paraprake, studentët kanë shfaqur shqetësime shëndetësore menjëherë pas drekës së të mërkurës, ndërsa disa prej tyre janë transportuar në spital për trajtim mjekësor për shkak të komplikacioneve më të rënda.
Dyshimet e para lidhen me ushqimin e konsumuar në mensën e Akademisë së Sigurisë, ku shërbimi ushqimor ofrohet nga një kompani private kateringu.
Pas ngjarjes, institucionet përgjegjëse kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe për të verifikuar nëse ka pasur shkelje në zinxhirin e furnizimit apo në procesin e përgatitjes së ushqimit.
Burime paraprake bëjnë me dije se gjendja shëndetësore e studentëve të prekur është aktualisht nën kontroll, ndërsa priten analizat dhe rezultatet zyrtare të ekspertizës ushqimore.






