Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se gjatë konferencës rajonale të Partisë Popullore Europiane në Sarajevë ka kërkuar mbështetje ndërkombëtare për protestat që po zhvillohen në Shqipëri, duke theksuar se ato mbështeten plotësisht nga Partia Demokratike.

Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se në takimin ku morën pjesë drejtues të lartë politikë të rajonit dhe presidenti i PPE-së, Manfred Weber, ai paraqiti situatën në Shqipëri si një krizë të thellë politike dhe institucionale.

“Shqipëria ndodhet në sallën e urgjencës. Dhjetëra mijëra dhe qindra mijëra qytetarë janë ngritur kundër regjimit me kërkesa të drejta për dorëheqjen e Edi Ramës dhe anulimin e ligjeve që bien ndesh me Kushtetutën dhe direktivat europiane”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, në fjalën e mbajtur para drejtuesve të PPE-së, ai denoncoi atë që e cilësoi si “regjim autoritar të bazuar në farsën zgjedhore, lidhjet me krimin, korrupsionin dhe kartelet e drogës”.

Berisha kritikoi ashpër qëndrimin e kryeministrit Edi Rama ndaj protestuesve, duke e akuzuar për fyerje, etiketime dhe kërcënime ndaj qytetarëve që marrin pjesë në protestë.

“Kërkova nga drejtuesit e Partisë Popullore Europiane të përdorin autoritetin e tyre për të ndihmuar në zgjidhjen paqësore të krizës, përmes largimit të Edi Ramës dhe krijimit të një qeverie teknike që do të përgatisë zgjedhje të reja”, deklaroi ai.

Kreu i PD-së theksoi se protesta nuk është organizuar nga Partia Demokratike, por sipas tij, mbështetet plotësisht nga opozita.

“Kjo protestë nuk është e thirrur nga Partia Demokratike, por mbështetet plotësisht nga Partia Demokratike. Kërkesat e saj janë të drejta dhe ne qëndrojmë në mbështetje të tyre”, tha Berisha.

Ai shtoi se gjatë konferencës pati interes të lartë nga përfaqësuesit europianë për zhvillimet në Shqipëri dhe se ka kërkuar mbështetje ndërkombëtare për lëvizjen qytetare kundër qeverisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu