Një 43-vjeçar nga Tirana ka humbur jetën në orët e para të mëngjesit të së martës në Lushnjë, pasi automjeti që drejtonte u përmbys në rrugë.

Sipas njoftimit paraprak të Policisë, rreth orës 01:45, punonjësit e sallës operative të Komisariatit të Policisë Lushnjë kanë konstatuar përmes kamerave të sigurisë një automjet tip “Mercedes-Benz”, i cili po kryente manovra të çrregullta përpara godinës së komisariatit.

Policia bën me dije se drejtuesi i mjetit ka dalë disa herë nga automjeti duke bërtitur para komisariatit. Pas konstatimit të situatës, salla operative ka njoftuar patrullën e përgjithshme për të kryer verifikimet e nevojshme.

Sapo ka vënë re afrimin e patrullës, drejtuesi i automjetit është larguar me shpejtësi të madhe nga zona.

Pas disa minutash, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plasmasit”, automjeti dyshohet se ka dalë nga kontrolli për shkak të shpejtësisë së lartë, është përplasur me bordurat anësore të rrugës dhe më pas është përmbysur.

Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën drejtuesi i automjetit, shtetasi E. Xh., 43 vjeç, banues në Tiranë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu