
Qytetarët po ngrenë shqetësime serioze për gjendjen në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku në disa segmente të rrugës raportohen korsi të bllokuara nga dheu dhe mbeturina, duke e bërë qarkullimin të vështirë dhe potencialisht të rrezikshëm.
Sipas ankesave të ardhura nga përdorues të kësaj rruge, situata problematike vazhdon prej muajsh, veçanërisht në zonën e hyrje-daljeve të Suharekës. Gjatë fundjavave, trafiku rëndohet edhe më shumë, duke krijuar kolona të gjata dhe duke rritur rrezikun për aksidente.
“Prej muajsh, korsi të tëra janë të bllokuara, ndërsa askush nuk ka ndërhyrë për pastrimin e tyre. Qarkullimi është bërë i vështirë dhe i rrezikshëm për të gjithë”, shprehen qytetarët.
Ata kërkojnë sqarime nga institucionet përgjegjëse se përse nuk është marrë asnjë masë konkrete për funksionalizimin e plotë të autostradës, duke ngritur pikëpyetje mbi mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore.
Si pasojë e kësaj gjendjeje, sipas tyre, po humbet kohë e çmuar, po rritet rreziku në trafik dhe po dëmtohet siguria e përdoruesve të rrugës.
Qytetarët bëjnë thirrje për ndërhyrje urgjente, pastrim të menjëhershëm të korsive dhe masa konkrete që situata të mos përsëritet.
Ndërkohë, deri në momentin e publikimit, Ministria e Infrastrukturës nuk ka dhënë një reagim zyrtar për këtë çështje.
Vlen të theksohet se kjo autostradë ka qenë edhe më parë në qendër të kritikave për shkak të rrëshqitjeve të dheut, ku në fund të vitit 2025 një aksident tragjik i mori jetën dy personave.



