Njeriu i akuzuar për komplotimin e sulmeve të 11 shtatorit, Khalid Sheikh Mohammed, dhe dy nga bashkëpunëtorët e tij të mbajtur në burgun e Guantanamos kanë rënë dakord të pranojnë fajësinë për akuzat e komplotit në këmbim të një dënimi të përjetshëm, raportoi të mërkurën New York Times duke cituar zyrtarin e paidentifikuar të Pentagonit.
Marrëveshja për pranimin e fajësisë nga Mohammed, Walid Bin Attash dhe Mustafa al-Hawasawi në vend të një dënimi me vdekje është miratuar nga një zyrtar i lartë i Pentagonit, tha Times.
Të tre janë në paraburgim që nga viti 2003. Mohammedi është një militant i Al Kaedës i akuzuar nga SHBA si arkitekti kryesor i sulmeve të 11 shtatorit në Qendrën Tregtare Botërore të Nju Jorkut dhe Pentagonin jashtë Uashingtonit.
Në këmbim të heqjes së dënimit me vdekje si një dënim i mundshëm, këta tre të akuzuar kanë rënë dakord të pranojnë fajësinë për të gjitha veprat e akuzuara, përfshirë vrasjen e 2,976 personave të listuar në fletën e akuzës thuhej në një letër për anëtarët e familjeve të viktimave të 11 shtatorit, sipas Times. Letra thoshte se ata mund të paraqisnin kërkesat e tyre në gjykatë që në fillim të javës së ardhshme, sipas Times. Departamenti i Mbrojtjes lëshoi një deklaratë të mërkurën duke thënë se prokurorët kishin arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Mohammed, Bin Atash dhe al-Hawasawi, pa i bërë të ditur kushtet e atyre marrëveshjeve.
Mohammed u kap në Pakistan dy vjet pas sulmeve dhe u transferuar në Guantanamo. Në vitin 2008 iu lexuan akuzat për vrasjen e mëse 3 mijë personave në kullat binjake dhe Pentagon. Sulmet e futën SHBA në luftën kundër terrorizmit në Afganistan dhe Irak gjate 2001-2002, të mbështetur edhe nga shumë vende të botës që u solidarizuan me SHBA në ditët më të errëta në historinë e kombit amerikan.
Ishin ngjarje që ndryshuan botën dhe rrjedhën e historisë (shfleto galerinë)