
Një homazh spektakolar dhe prekës ka ndriçuar qiellin mbi portin e Nju Jorkut, në 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001.
Plot 2,977 dronë të ndriçuar u ngritën në ajër, ku secili simbolizonte një prej viktimave të sulmeve që ndryshuan përgjithmonë Shtetet e Bashkuara dhe botën.
Shfaqja, e titulluar “2,977 Lights Over New York Harbor”, arriti kulmin kur dronët krijuan në qiell siluetën e Kullave Binjake të World Trade Center, të shkatërruara gjatë sulmeve.
Pamjet u publikuan edhe nga Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, i cili e cilësoi instalacionin një kujtesë solemne të qëndrueshmërisë së Amerikës dhe të guximit të heronjve e forcave të emergjencës.
View this post on Instagram
“Për viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë ata që shërbyen: Nuk do t’ju harrojmë kurrë”, shkroi Duffy.
Numri i dronëve nuk ishte rastësor. 2,977 persona humbën jetën në sulmet e 11 Shtatorit: 2,753 në Nju Jork, 184 në Pentagon dhe 40 në avionin United Airlines Flight 93, i cili u rrëzua në Pensilvani.
Sulmet u kryen nga 19 terroristë të Al-Qaeda-s, të cilët rrëmbyen katër avionë pasagjerësh. Dy prej tyre goditën Kullat Binjake në Nju Jork, një tjetër Pentagonin, ndërsa avioni i katërt u rrëzua pranë Shanksville pasi pasagjerët dhe ekuipazhi u përpoqën të rimerrnin kontrollin.
25 vjet më pas, Nju Jorku i kujtoi viktimat duke rikthyer për disa çaste në qiell siluetën e kullave që dikur dominonin horizontin e qytetit.






