Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Tiranë, ku një 35-vjeçar është marrë peng nga 7 persona. Policia e Tiranës thotë se 7 personat, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, e kanë marrë 35-vjeçarin peng dhe e kanë kanosur atë me qëllim për t’i marrë pasurinë.
Në skenë del edhe Hektor Xhecuka, ushtari i Ervis Martianjt, teksa për llogari të këtij të fundit ka planifikuar vrasjen e Durim Bamit, plan ky i dalë në pah nga hetimet pas “thyerjes” së aplikacionit SkyECC.
Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për 4 prej tyre, Tori (Hektor) Xhecuka, 36 vjeç, Aleksandër Osmani, 37 vjeç, Artan Pirraci, 50 vjeç, dhe Fredi Keta, 49 vjeç. Ndërkohë, për tre të tjerë është caktuar masa arrest në shtëpi, konkretisht për Naim Qarri, 52 vjeç, Sajmir Kolaveri, 42 vjeç dhe Adem Metkola, 46 vjeç. Të gjitha masat e sigurisë janë ekzekutuar nga Policia e Tiranës.
“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë hequr lirinë një 35-vjeçari, dhe e kanë kanosur atë për dhënie pasurie”, njofton policia.
Ndaj tyre rëndojnë akuzat “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”.