Vlora, qyteti ku 114 vite më parë u hodhën themelet e shtetit shqiptar, u kthye edhe këtë 28 Nëntor në kryeqendrën e festimeve të Ditës së Flamurit Kombëtar.

Qindra qytetarë morën pjesë në ceremoninë shtetërore të ngritjes së flamurit, e cila bëri bashkë drejtuesit më të lartë të Shqipërisë dhe Kosovës.

Në ceremoni ishin të pranishëm presidenti Bajram Begaj, presidentja e Kosovës Justina Shiroka Pula, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, kryeministri Edi Rama dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Nën tingujt e Himnit Kombëtar, flamuri kuqezi u ngrit në sheshin historik të Vlorës, aty ku më 28 nëntor 1912 Ismail Qemali shpalli Shqipërinë shtet të lirë dhe të pavarur.

Kryeministri Edi Rama vendosi një kurorë me lule dhe u përkul në shenjë respekti pranë vendprehjes monumentale të Ismail Qemalit, në nderim të kontributit të themeluesit të shtetit shqiptar.

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, në mesazhin e saj me rastin e 28 Nëntorit, theksoi se flamuri kombëtar i bashkon shqiptarët përtej kufijve shtetërorë, duke kujtuar rrënjët, gjuhën, historinë dhe identitetin e përbashkët.

Festimet në Vlorë kishin nisur që në mbrëmjen e së premtes, me muzikë, valle tradicionale dhe qytetarë të veshur me kostume kombëtare pranë Teatrit “Petro Marko”.

Pas ceremonisë shtetërore, programi parashikon zhvillimin e Paradës së Pavarësisë në bulevardin “Ismail Qemali”, ndërsa në orën 19:00 në Sheshin e Flamurit do të mbahet një koncert festiv.

Aktivitetet do të vijojnë më 29 nëntor, me homazhet në Varrezat e Dëshmorëve në orën 10:00 dhe një koncert në bulevardin “Ismail Qemali”, në orën 19:00.

Edhe pas 114 vitesh, Vlora mbetet vendi ku shqiptarët nga të gjitha trevat rikthehen për të nderuar historinë, sakrificat e brezave dhe flamurin që i bashkon.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu