Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, njoftoi se Shqipëria do të përfitojë 185,6 milionë euro në raundin e katërt të pagesave në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, pasi ka zbatuar 80% të reformave të parashikuara.

Gjatë Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, Kos vlerësoi progresin e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, duke njoftuar se këto vende do të përfitojnë edhe fonde shtesë falë performancës së tyre.

Sipas komisioneres, Mali i Zi ka realizuar 94% të reformave dhe do të përfitojë 81 milionë euro në raundin e dytë të pagesave, ndërsa Maqedonia e Veriut ka zbatuar 56% të reformave dhe do të marrë 70,9 milionë euro.

“Shqipëria dhe Mali i Zi do të marrin 15 për qind më shumë nga Plani i Rritjes, Maqedonia e Veriut do të marrë 10 për qind më shumë. Përgëzime, sepse e keni merituar këtë me anën e përpjekjeve për reforma”, deklaroi Kos.

Shqipëria drejt pjesëmarrjes në institucionet europiane përpara anëtarësimit

Komisionerja prezantoi gjithashtu qasjen e re të Bashkimit Europian për integrimin gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që parashikon përfitime ekonomike dhe pjesëmarrje në institucionet europiane përpara anëtarësimit të plotë.

“Do të ketë më shumë euro edhe përpara anëtarësimit, por ky integrim gradual nuk është zëvendësim i anëtarësimit. Ndërkohë që ecni përpara me reformat, ne do të hapim më shumë pjesë të tregut unik të BE-së për ekonomitë tuaja, përfshirë energjinë, transportin, teknologjitë dixhitale”, tha Kos.

Ajo theksoi se vendet kandidate do të kenë mundësi të marrin pjesë më herët në institucionet e Bashkimit Europian, në fushat ku shënojnë përparimin më të shpejtë.

Në këtë kuadër, Kos evidentoi edhe rëndësinë strategjike të Korridorit VIII, që lidh bregdetin e Adriatikut në Durrës me Maqedoninë e Veriut, si pjesë e rrjeteve tregtare dhe të transportit.

Serbia nuk ka marrë asnjë pagesë që prej janarit

Ndryshe nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, Serbia nuk ka përfituar asnjë pagesë nga Komisioni Europian që prej janarit të këtij viti.

Sipas Kos, agjenda e reformave e hartuar me qeverinë e mëparshme serbe nuk ka prodhuar rezultatet e pritshme, ndërsa tashmë ekziston mundësia për një fillim të ri.

Komisionerja bëri të ditur se Komisioni Europian ka ofruar këshillim edhe për përfaqësuesit e Listës Studentore në Serbi, lidhur me mënyrën e strukturimit të reformave për të përfituar sa më shumë nga Plani i Rritjes.

Kos do të vizitojë Kosovën në dhjetor

Komisionerja Europiane e cilësoi krijimin e institucioneve të reja në Kosovë si një mundësi për përshpejtimin e reformave dhe përfitimin e më shumë fondeve europiane.

Ajo njoftoi se do të vizitojë Kosovën në fillim të dhjetorit për të çuar përpara këtë proces.

Ndërsa për Bosnjë-Hercegovinën, Kos theksoi se vendi duhet të ratifikojë marrëveshjet e nevojshme për të përfituar financime nga Plani i Rritjes.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu