
Operatorët e transportit publik paralajmërojnë se çmimi i biletës rrezikon të rritet nga 1 janari 2027, nëse miratohet rritja e TVSH-së nga 20% në 21%. Pas pezullimit të përkohshëm të shërbimit këtë të enjte, përfaqësuesit e sektorit kërkojnë që transporti të trajtohet si shërbim bazë dhe të përfitojë normën e reduktuar prej 6%.
Sipas tyre, rritja e barrës tatimore do të shtojë kostot dhe do të prekë qytetarët që përdorin çdo ditë autobusët për të shkuar në punë, shkollë apo për nevoja të tjera.
“Transporti publik nuk është mjet luksi, por mjet i domosdoshëm dhe jetik për qytetarët”, u shpreh një prej përfaqësuesve të sektorit, duke kërkuar që çmimi i biletës të ruhet në nivelet aktuale.
Operatorët thonë se kërkesën e kanë paraqitur edhe në Komisionin e Ekonomisë, bashkë me përllogaritjet financiare. Sipas vlerësimit të tyre, aplikimi i TVSH-së së reduktuar për transportin do të kishte një kosto rreth 4 milionë euro, ndërsa ndryshimet në pragun e TVSH-së do të sillnin efekt kompensues.
Përfaqësuesit e sektorit deklaruan se hapat e mëtejshëm do të varen nga vendimmarrja e Kuvendit për paketën fiskale. Ata do të konsultohen me operatorët dhe zotohen të njoftojnë paraprakisht qytetarët për çdo vendim tjetër.






