Shtatë vjet pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019, Shqipëria kujton 51 viktimat e një prej fatkeqësive më të rënda që ka goditur vendin. Në këtë përvjetor, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka përcjellë një mesazh përkujtimi dhe solidariteti për familjet që humbën të afërmit.

“Përkujtojmë me respekt jetët e humbura dhe qëndrojmë pranë familjeve të prekura”, thuhet në mesazhin e publikuar në rrjetet sociale.

Institucioni shpreh mirënjohje për të gjithë ata që, me guxim, humanizëm dhe përkushtim, u angazhuan në operacionet e kërkim-shpëtimit dhe në përballimin e pasojave të tërmetit.

Përtej përkujtimit, mesazhi vë theksin te domosdoshmëria e parandalimit, gatishmërisë dhe forcimit të sigurisë së komuniteteve përballë fatkeqësive natyrore. Tragjedia e shtatë viteve më parë mbetet një kujtesë për rëndësinë e përgatitjes dhe të reagimit në kohë ndaj emergjencave.

“Të kujtojmë ata që humbëm. Të vlerësojmë ata që u gjendën pranë. Të jemi gjithmonë të përgatitur”, përfundon mesazhi.

Tërmeti i 26 nëntorit 2019, me magnitudë 6.4, shkaktoi shembje ndërtesash, mijëra banesa të dëmtuara dhe la shumë familje pa strehë. Pasojat e tij nxitën një mobilizim të gjerë për shpëtimin e jetëve dhe ndihmën ndaj të prekurve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu