Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut inauguruan këtë të diel sistemin e integruar kufitar “One Stop Shop” në Qafë Thanë. Kontrollet me një ndalesë synojnë të shkurtojnë pritjet dhe të lehtësojnë kalimin e qytetarëve dhe transportin e mallrave mes dy vendeve.

Në ceremoninë e përbashkët, kryeministri Edi Rama dhe homologu Hristijan Mickoski e cilësuan ndryshimin një hap për forcimin e bashkëpunimit, me synimin që sistemi të shtrihet edhe në pika të tjera kufitare.

Rama e përshkroi kalimin te procedura e përbashkët përmes shprehjes “beso dhe kontrollo”, duke e lidhur atë me perspektivën e heqjes së kontrolleve mes dy vendeve.

“Deri tani në këtë doganë ishim ‘kontrollo, kontrollo’. Tani jemi ‘beso, kontrollo’ dhe hapi tjetër është ‘beso, beso’, që të mos kemi më asnjë kontroll këtu, në rrugëtimin tonë të përbashkët për t’u bërë pjesë e Europës”, deklaroi kryeministri.

Sistemi i inauguruar lehtëson procedurat kufitare; heqja e plotë e kontrolleve u paraqit nga Rama si objektiv për të ardhmen.

Mickoski theksoi përfitimet për turizmin rreth liqenit të Ohrit, veçanërisht për Ohrin dhe Strugën, si dhe për udhëtimet drejt bregdetit shqiptar. Ai uroi gjithashtu shqiptarët për 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit.

Në qendër të bisedimeve ishte edhe Korridori VIII. Rama e cilësoi një projekt me rëndësi për të dyja vendet, Bashkimin Europian dhe NATO-n, duke kërkuar vijimin e punës së përbashkët për realizimin e tij.

Mickoski deklaroi se janë intensifikuar punimet në akset Tetovë–Gostivar, Gostivar–Bujkoçani dhe Bujkoçani–Kërçovë. Sipas tij, synimi është që lidhja e plotë autostradale Shkup–Ohër të përfundojë deri në vitin 2029, ndërsa aksi Kërçovë–Ohër të vihet në përdorim në gjysmën e dytë të vitit 2027. Ai përmendi nevojën për një zgjidhje alternative në zonën e Trebenishtës, për shkak të mbrojtjes nga UNESCO.

Konferenca për shtyp solli edhe pyetje për pengesat në integrimin europian të Maqedonisë së Veriut. I pyetur nëse Shqipëria mund të vendoste veto në të ardhmen, Rama e përjashtoi këtë mundësi.

“Kurrën e kurrës Shqipëria nuk do të bëhet pengesë në asnjë formë për të vonuar anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian”, tha ai.

Për deklaratat mbi përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë, Rama sqaroi se kishte shprehur mendimin e tij për kapërcimin e pengesës bullgare, pa synuar t’i jepte udhëzime qeverisë maqedonase. Ai kritikoi gjithashtu BE-në se nuk i kishte përmbushur premtimet ndaj Shkupit, pavarësisht sakrificave të ndërmarra, përfshirë ndryshimin e emrit të vendit.

Mickoski u pyet për mosrespektimin e pretenduar të himnit shqiptar gjatë një aktiviteti në Pustec. Ai kundërshtoi premisën e pyetjes, duke deklaruar se himni ishte luajtur dhe se do t’u vinte gazetarëve në dispozicion videon.

Një tjetër debat u zhvillua kur një gazetar e akuzoi Ramën se nuk kishte reaguar për çështje gjyqësore që prekin shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Kryeministri u përgjigj se këto raste duhet të trajtohen nga institucionet e vendit dhe se shqiptarët kanë përfaqësimin e tyre politik.

Ai theksoi se përfaqësuesit shqiptarë janë të mirëpritur në Tiranë, por se nuk do të ndërhyjë në kompetencat e institucioneve të një shteti sovran. Rama hodhi poshtë edhe idenë se miqësia me Mickoskin bie ndesh me marrëdhëniet me shqiptarët, duke e cilësuar “skandaloze” këtë zgjedhje të imponuar nga pyetja. Në përfundim të replikës, iu drejtua gazetarit me fjalët: “Problemin e ke në kokën tënde”.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu